Meta pret Avokatin e Popullit të Kosovës: Të zgjidhim bashkarisht sfidat

03/05/2016 13:10

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në një takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari. I pranishëm në takim ishte edhe Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani.

Gjatë takimit, kryetari Meta u shpreh se Parlamenti dhe Avokati i Popullit, si një institucion i dalë prej tij, duhet të veprojnë në bashkëpunim të vazhdueshëm, në interes të proceseve demokratike të vendit dhe në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe të drejtave të qytetarëve.

Nga ana e tij, Jashari vlerësoi bashkëpunimin “shumë të frytshëm” mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, jo vetëm sa i përket shkëmbimit të eksperiencave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit, por edhe për mbështetjen për anëtarësimin e Ombudsmanit të Kosovës në rrjete ndërkombëtare, siç ishte rasti i Rrjetit të Mesdheut.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi organizimin e aktiviteteve të përbashkëta mes dy institucioneve dhe dy Kuvendeve. Meta u shpreh se veprimtaria e Avokatit të Popullit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë përballet me sfida.

“Këto institucione kryejnë një punë të lavdërueshme në funksion të përmirësimit të jetesës së qytetarëve, të cilat duhet të kenë gjithë mbështetjen e të dy Parlamenteve”, tha Meta.

Top Channel