Një grua kundër Shullazit, dëshmon biznesmenia e shantazhuar

02/05/2016 15:05

Emiliano Shullazi është rikthyer në një paraburgim në kryeqytet, pasi u mbajt disa ditë në Elbasan dhe është në pritje të shqyrtimit të kërkesës për të lënë qelitë.

Avokatët e tij kërkojnë lirimin për mungesë provash për të dhe Gilmando Danin dhe gjykim në gjendje të lirë për ta. Ndërsa për të akuzuarin tjetër, Blerim Shullazi, ata kërkojnë që çështja të shqyrtohet nga Gjykata e Krujës.

Por duket se festa e parakohshme e lirimit mund t’u prishet shpejt nga një dëshmi e paparashikuar. Një grua duket se ka rënduar pozitën e 38-vjeçarit të përfolur kohët e fundit.

Një burim konfidencial i tha Top Channel se pas ofertave të organit të akuzës ndaj disa biznesmenëve që dyshohet se janë gjobitur, një grua biznesmene është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka dëshmuar kundër Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit.

“Më kanë marrë një pasuri timen në Tiranë me vlerë 1 milionë euro”, ka thënë gruaja dhe kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Gilmando Danit.

Për disa orë gruaja është marrë në pyetje nga zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që është urdhëruar sekuetsrimi i dokumentave në hipotekë dhe në gjykatë, në mënyrë që të verifikohet me prova denoncimi i 50-vjeçares.

Identiteti i saj mbahet super sekret për shkak të sigurisë së jetës dhe faktit se tashmë vetëm kjo akuzë mund të jetë siguria e burgut për grupin “Shullazi”. Prokuroria nuk pranon të japë asnjë version zyrtar për këtë çështje për shkak të sekretit hetimor.

Konfirmohet se tre shtetas të përmendur në një raport të Shërbimit Informativ si biznesmenë që u është vendosur gjobë nga Shullazi kanë refuzuar të depozitojnë kallëzim kundër tij, aq më tepër që e kanë mohuar njohjen me të.

Ndërkohë që shtetasit Jani Zaka, personi që ka dëshmuar se është kërcënuar për t’i marrë një garazh në Tiranë, nuk i është gjetur ende adresa e tij për të kryer veprime të tjera hetimore.

Procedura e shqyrtimit të dëshmisë së gruas është ende e paqartë, siç është e paqartë sesi kjo dëshmi do të futet në dosjen e dorëzuar nga prokuroria në gjykatë.

Por e qartë është se sot, të dalësh kundër Emiliano Shullazit nuk ka nevojë të jesh zyrtarisht as burrë, as rektor universiteti dhe as politikan. Mjafton një dëshmi në prokurori. 

Top Channel