Ujëvara e Sotirës, mrekullia e natyrës që nuk vizitohet dot prej rrugës

01/05/2016 00:00

Gramshi nuk është i njohur për zona të shumta turistike, por ujëvara e Sotirës, një perlë e natyrës, nëse do të ishte lehtësisht e vizitueshme do të mjaftonte për ta kthyer këtë qytet në destinacion turistik. Ajo gjendet vetëm pak kilometra nga qyteti i Gramshit, por për të mbërritur deri këtu, të duhet të udhëtosh orë me makinë dhe orë të tjera në këmbë, një udhëtim jo i lehtë për t’u kryer.

Vizitorët në ujëvarën më të lartë të Shqipërisë kanë qenë të shumtë vitet e fundit, por secili prej tyre është larguar duke marrë pas, mundimin që të shkakton rruga gati e pakalueshme deri në Sotirë.

Edhe pse mbetet një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, investimet në këtë zonë janë inekzistente, aq sa edhe sinjalistika është e shkruar nga vet vizitorët. Por më të vështira, e madje edhe të rrezikshme, janë ngjitjet dhe zbritjet për tek ujëvara.

Kryetarja e Bashkisë së Gramshit thotë se, projekti për rikonstruksionin e rrugës është gati, por mungojnë fondet.

Ujëvara e Sotirës duhet të ishte një destinacion i përkryer edhe për turizmin aktiv të fundjavës, por ky potencial i jashtëzakonshëm turistik duhet ende të presë, derisa dikush të vërë dorë mbi infrastrukturën.

Top Channel