Pashka Ortodokse, Korça kremton të Premten e Zezë

29/04/2016 21:10

Besimtarët ortodoksë të qytetit të Korçës kanë kremtuar të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Pasditen e së premtes, nga Mitropolia e Shenjtë është organizuar riti i kalimit nën epitaf dhe varrimi i Krishtit, pjesë e të cilës janë bërë qindra qytetarë të Korçës, por edhe mjaft vizitorë të ardhur nga qytete të tjera të vendit.

Në heshtje, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në dy bulevardet kryesore të qytetit. Në sheshin para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” janë bashkuar epitafet e dhjetë kishave, të cilët më pas, të shoqëruar nga besimtarë, kanë përshkuar bulevardin “Shën Gjergji”, për të ndaluar në hyrje të parkut Rinia.

Procesionin e ka udhëhequr Mitropoliti i Korçës, imzot Johani, ndërsa banda e qytetit ka ekzekutuar marshe funebre.

E premtja para Pashkës, e cila njihet si e Premtja e Zezë, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë, duke ecur drejt vendit ku u kryqëzua, për t’u ringjallur të dielën e Pashkës.

Top Channel