Fruthi dhe Rubeola, apel për rivaksinim për të lindurit e viteve ’80-‘90

29/04/2016 15:15

Denis Bastari i lindur në vitin 1985, ndonëse i vaksinuar, është prekur nga virusi i Fruthit, pas një udhëtimi në Francë me rastin e kampionatit europian.

Ai tregon ditët e vështira që ka kaluar pasi vakisna Fruth Rubeolës nuk ka rezultuar efektive jo vetëm për Denisin por për të gjithe të lindurit në vitet 1980-1990.

“Kam pasur temperaturë të lartë dhe ethe,. Kur jam kthyer ka vazhduar temperatura e lartë në shtëpi. Pas të gjitha analizave doli që isha me virusin e Fruthit. Unë e kisha bërë vaksinën në vitet ‘90. Vaksinat kanë rezultuar joefektive. Unë ngaqë jam i datëlindjes ’85 besoj më ka kapur kjo”, rrëfen Denis Bastari, punonjës i FSHF.

Specialistë të shëndetit publik sqarojnë në këtë dhjetevjecar nuk ka funksionuar sicc duhet sistemi i ruajtjes së vaksinës, në kushte të ftohta. Për këtë, vaksina është ripërsëritur me fushata në vitet 2000-2004.

“Të gjithë personat të cilët janë të datëlindjes 80-90 dhe nuk janë vaksinuar gjatë këtyre fushatave, ata duhet të rivaksinohen. Duhet të kontaktojnë mjekun e familjes e më pas ai do e organizojë vaksinimin e tyre me ndihmën e konsultorit dhe ISHP-së”, thotë Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive.

Zonja Bino u kërkon të gjithe atyre që do të udhëtojnë për të ndjekur kampionatin europian drejt Francës, të shikojnë kartelat e vaksinimit të tyre më parë se të nisen.

Dy sëmundjet Fruthi dhe Rubeola nëse prekin në moshe të rritur japin pasoja të rënda në shëndet.

“Fruthi është sëmundje infektive e rrezikshme. Biles të rriturit kalojnë forma më të rënda të fruthit që shkakton prapambetje mendore dhe vdekje. Rubeola është një sëmundje që dhe ajo mund të shkaktojë infeksione të trurit. Për femrat e moshës riprodhuese nëse je e infektuar me rubeolë mund të lindësh fëmijë me probleme kongenitale”, thotë Bino.

Top Channel