Hetimi i MM: Fluturimi i helikopterit sipas rregullave

28/04/2016 00:00

Tre javë pas aksidentit tragjik me helikopterin e Forcave të Armatosura EC-145, ku humbën jetën pilotët Floran Delia dhe Donald Hoxha dhe mbeti i plagosur ushtari profesionist Gerald Baramuça, Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar hetimin administrativ për këtë ngjarje.

Zv.ministri i Mbrojtjes, Idlir Peçi ka bërë të ditur për Top Channel rezultatet e këtij hetimi, i cili përfshiu që nga kontrollet shëndetësore të pilotëve dhe ai teknik i mjetit fluturues e deri tek dokumentacionet përkatëse.

“Gjithçka, duke filluar që nga planifikimi, siç e përmenda, që nga kontrolli shëndetësor fizik i pilotëve, cilësinë e karburantit, me gjendjen dhe aftësinë e tyre teknike për të pilotuar këtë helikopter, na rezulton se gjithçka ka qenë në përputhje me rregullat dhe udhëzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, udhëzimeve të Shtabit të Përgjithshëm, Komandës Ajrore së Forcës Ajrore në Farkë”, thotë zv.ministri Peçi.

Ky hetim është ndihmuar edhe nga dy ekspertë amerikanë, të thirrur nga grupi i hetimit. Ndërkaq, hetimi për gjetjen e shkaqeve dhe përgjegjësive penale të aksidentit në fjalë, që po zhvillohen nga Prokuroria e Shkodrës, nuk kanë ende asgjë konkrete.

Top Channel