“Intech” reagon ndaj Bashës: Të provojë akuzat, ndryshe do ta padisim

27/04/2016 00:00

Kompania e Informacionit dhe Teknologjisë, e cila u akuzua një ditë më parë nga kreu i opozitës Lulzim Basha, se është favorizuar në tendera publikë, ka reaguar me një deklaratë për mediat ku hedh poshtë këto akuza.

Pronari i kompanisë, Sokol Sinani thekson se, “shoqëria “Intech” i hedh poshtë si të pavërteta shpifjet dhe përbaltjen, që vijon në mënyrë të përsëritur prej disa muajsh, duke dëmtuar rëndë imazhin e shoqërisë”.

Në deklaratën e tij thuhet se, kompania ka fituar tendera në sektorin publik në vlera të konsiderueshme, edhe kur në qeveri ishte Partia Demokratike. “Në vitin 2007 qeveria është faturuar në vlerën e afro 1.33 milion dollarë”, vijon deklarata.

Drejtuesit e kompanisë “Intech” i kërkojnë kryetarit të PD që t’i drejtohet organeve të drejtësisë për të provuar qoftë edhe një procedure prokurimi të favorizuar në shkelje të ligjit, ose të tërheqë akuzat.

Në të kundërt, thonë ata, do të padisin zotin Basha për prishje të qëllimshme të reputacionit të shoqërisë si subjekt tregtar.

Një ditë më parë, kryetari i PD listoi 11 kompani të cilat sipas tij fitonin vazhdimisht prokurimet publike dhe një prej tyre ishte edhe “Intech”.

Top Channel