Gjysma e Tiranës pa ujë, rrëshqitja e tokës ka dëmtuar rrjetin e furnizimit

27/04/2016 00:00

Njëra nga linjat e burimit të Selitës është dëmtuar për shkak të erozionit të ndodhur në orët e para të ditës së mërkurë. Si pasojë, disa zona të kryeqytetit do të furnizohen pjesërisht me ujë të pijshëm.

Sipas specialistëve, për shkak të terrenit të vështire ku po punohet , ky defekt pritet të riparohet brenda 2-3 ditëve.

“Do të ketë vetëm kufizime të ujit në disa zona të Tiranës, si “Rruga e Elbasanit”, “Komuna e Parisit” dhe Tirana e Re. Do të ketë vetëm kufizime, pasi janë marrë masat që të mos ketë ndërprerje totale të ujit”, shprehet Durim Mustafa, drejtor i njësisë operacionale ujësjellës.

Reshjet  e dendura  të dy ditëve më parë kanë shkaktuar rrëshqitjen e dheut  në një zonë të thepisur në “Qaf Mollë” rreth 800 metër mbi nivelin e detit.

Në këtë zonë kalon tubi që sjell rreth 620 litër ujë në sekondë nga burimi i Selitës . Specialistët e ujësjellësit janë duke punuar  me qëllim që të krijojnë si fillim terrenin e  përshtatshëm e më pas të  bëjnë bashkimin e  tubit në segmentin e  dëmtuar. Drejtues të ujësjellësit shpjegojnë se ky defekt do të ndikojë sado pak në furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve. 

Top Channel