Qentë e rrezikshëm, jashtë kontrollit edhe “pit bull” e “rottweiler”

26/04/2016 00:00

Në mbarë botën ka një debat mbi rrezikshmërinë e qenve agresivë si “pit bull”, “rottweiler” apo racat e tjera të kësaj natyre dhe madje në disa vende mendohet që ata të mos lejohet të mbahen.

Por, në Shqipëri megjithëse kafshët janë thuajse jashtë kontrollit, debati nuk ka marrë ende një zgjidhje zyrtare. Vetëm në Tiranë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në një javë paraqiten mesatarisht 5 persona që plagosen nga këto qenë, që me ligj njihen me termin “kafshë shoqëruese”.

Sipas specialistëve të Drejtorisë së Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, policia duhet t’i sekuestrojnë kafshët në rast së konstatohet se nuk mbahen nga të zotët me maskë dhe litar.

“Jam i bindur që ka pasur një sërë kriteresh të kësaj natyre ku thuhej që qeni duhet të mbahet gjithmonë me litar dhe më maskë në mënyrë që të mos dëmtonte të tjerët. Mosrespektimi i kësaj norme është gjithmonë në varësi të të zotit i cili duhet të sigurohet që t’i ketë këto dy elemente për kafshën e tij, në të kundërt kafsha sekuestrohet dhe duhet t’i kalojë strehës së qenve”, deklaroi Kujtim Mersini, specialist veteriner në Ministrinë e Bujqësisë.

Vetëm 3 ditë më parë një “pit bull” u vra me armë në Tiranë, pasi kafshoi një person, ngjarje ku mbeti i plagosur në këmbë rastësisht edhe një kalimtar. Për të mos pasur sërish ngjarje të tilla, specialistët veterinerë kanë edhe një apel.

“Apeli është i thjeshtë, dhurojini kafshës dashuri, mos e dhunoni dhe mos e detyroni kafshën që të jetë agresive. Natyralisht qentë janë miqtë më të mirë të njeriut dhe nuk janë agresiv kundrejt njerëzve”, tha Mersini.

Top Channel