Ndalimi i ekstremistëve, projektligj i ri për forcimin e kontrollit në kufi

26/04/2016 00:00

Ministria e Brendshme ka hartuar një projektligj të ri mbi kontrollin kufitar i cili synon të rrisë masat kundër daljes apo hyrjes në vend të elementëve me prirje radikale dhe terroriste.

Në draftin e siguruar nga Top Chanel, që pritet t’i kalojë së shpejti për shqyrtim Parlamentit, renditen disa nga procedurat që shtohen në kufi. Në projektligj parashikohet që shtetasit që shoqërohen për verifikime në pikën e kalimit kufitar, tashmë do të informohen për procedurën dhe arsyen e kontrollit të posaçëm.

Refuzimi i daljes së personave të dyshuar parashikon bllokimin dokumenteve të udhëtimit gjatë procesit të lëshimit apo pas lëshimit, veçanërisht lidhur kjo me rastet e xhihadizmit dhe terrorizmit.

Në projektligj thuhet se “të gjithë shtetasit shqiptarë kanë të drejtën të dalin nga vendi i tyre dhe të kthehen në të, përveç rasteve të veçuara të përcaktuara, të lidhura me dyshimet e rasteve të terrorizmit”.

Po ashtu, si element i ri në këtë projektligj, paraqiten pikat e përkohshme të kalimit kufitar që mund të shërbejnë për zbatimin e projekteve ndërkufitare, si kulturore, turistike, shkencore apo sportive si dhe gjatë emergjencave civile.

Përgjegjësia për hapjen e tyre u takon autoriteteve kompetente rajonale si dhe titullarit vendor të Policisë Kufitare dhe të Migracionit.

Top Channel