Mjekët, thirrje për vaksinim. Prindërit, të stepur prej autizmit

25/04/2016 00:00

Informacione të ndryshme që shpërndahen në internet kanë çoroditur prindërit, të cilët shpesh hezitojnë t’u bëjnë vaksinat bebeve të tyre. Ata konsiderojnë vaksinën e fruth-rubeolës dhe të shytave, e cila bëhet në moshën njëvjeçare, si shkaktare të autizmit.

“Ka prindër që refuzojnë vaksinën e MMR-së, pasi mendojnë se ajo jep një ndalim të zhvillimit psikomotor. Në qoftë se do të jenë 100 fëmijë për ta bërë, 70-80 prej tyre e bëjnë. Një pakicë e vogël e ka këtë mentalitet, pasi pjesa më e madhe mund të bëjë një shtyrje me një muaj”, tha Yllka Mano, pediatre.

Në Shqipëri, kalendari i vaksinimit mbetet në dëshirën e prindërve, por specialistët u bëjnë thirrje prindërve të mos neglizhojnë asnjë vaksinë, pasi studime të shumta nuk kanë gjetur lidhje me autizmin.

“Prindërit shpeshherë konsultojnë faqe të ndryshme interneti, të cilat nuk janë profesionale, por janë faqe të grupeve antivaksina, të cilat kanë interesat e tyre. Ka qindra studime, të cilat kanë vërtetuar që nuk ka asnjë lidhje midis vaksinave dhe autizmit. Nëse nuk do të bëheshin vaksinat, do të kishim ato tmerre që kemi parë gjatë shpërthimeve epidemike të fruthit, sidomos në vitet ’89-’90, që gjatë viteve ’90 u shoqëruan me vdekje, me prapambetje mendore”, thotë Silva Bino, ish-anëtare e këshillimit të vaksinave, OBSH.

Me ligjin e ri të sëmundjeve infektive, tanimë në shkollë të mesme dhe të lartë, nxënësve dhe studentëve do t’u kërkohet kartela e vaksinimit.

Top Channel