Kosovë, kryhet me sukses operacioni i rrallë kirurgjikal

25/04/2016 00:00

Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale është kryer me sukses këtë të hënë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Bëhet fjalë për ngjitjen e gishtit të një pacienti, të cilin e kishte prerë me sharrë elektrike.

Kjo ndërhyrje është kryer në klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive, me metodën mikrokirurgjike.

“Është një ndërhyrje që është realizuar me anë të mikroskopit operativ dhe është bërë lidhja e enëve të gjakut me diametër 1.5 mm”, tha Dr. Hysni Arifi, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive.

Mikroskopi operativ, që është i nevojshëm për këtë ndërhyrje, mungon në Klinikën shtetërorë të Kirurgjisë, ndaj dhe për këtë operacion është huazuar nga një klinikë tjetër.

Kirurgu plastik Ylber Zejnullahu tha se, operacioni zgjati 5 orë dhe meritën e suksesit të tij ia faturon personelit mjekësor, pasi – sipas tij – kushtet nuk ishin ato që duheshin.

“Kushtet janë të pakta, por entuziazmi i madh dhe trajnimet që kemi bërë në Suedi e në Londër lidhur me metodat mikrokirurgjike, na kanë ndihmuar që ky rast të mos jetë një rast i humbur. Janë nevojitur shkathtësi të veçanta që të ndërhyjmë, ndërsa është dashur një ekspertizë shumë e madhe dhe një përkushtim edhe post-operim, që ne sot të mund të themi që ky gisht ka mbijetuar”, deklaroi më tej Dr. Ylber Zejnullahu, kirurg plastik.

Përkundër rrezikut, pacienti – të cilit iu rikthye gishti, – shprehet se ka pasur besim te mjekët kosovarë.

“Falënderoj Dr. Ylberin dhe të gjithë personelin, që e bënë të pamundurën të mundur. Kam besuar gjithmonë te kirurgët dhe te të gjithë mjekët. Kam qenë duke punuar rastësisht, ka ndodh papritur dhe fatkeqësisht e kam prerë me një sharrë elektrike gishtin tregues. E kam këputur krejt dhe një pjesë të gishtit të madh, por falë mjekëve e kam atë siç e kam pasur edhe përpara aksidentit”, tha Sabedin Syla, pacienti i nënshtruar.

Në QKUK ka pasur edhe dy raste të tjera të ngjashme, por është hera e parë që një ndërhyrje e tillë realizohet me sukses.

Top Channel