Kosovë, votohet për zgjedhjet serbe nën organizimin e OSBE-së

24/04/2016 00:00

Nën organizimin e OSBE-së, serbët e Kosovës votuan këtë të dielë për zgjedhjet parlamentare në Serbi, në 5 qendra grumbulluese të hapura me disa degë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë.

Banorët serbë të Komunës së Graçanicës, që ndodhet 8 kilometra larg Prishtinës, pasi votuan në shkollën “Kral Milutin”, thanë se presin ndryshime pozitive në Serbi, por jo në raport me Kosovën.

“Presim ndryshime pozitive, për paqe dhe gjëra të mira”, tha një banor i Graçanicës.

“Unë po votoj për të mos ndryshuar asgjë, sepse gjithçka është në rregull”, tha një tjetër banor i Graçanicës.

“Kam votuar për ndryshime, por nuk pres që të ndryshojë diçka në raport me Kosovën”, tha një tjetër banor.

Edhe në pjesën veriore të Kosovës, serbët kanë votuar në disa qendra grumbulluese, ndërsa ato janë vizituar si nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviç, por edhe nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, i cili tha se serbëve të Kosovës u nevojitet qeveri e fortë në Serbi.

“Besoj fort se qytetarët e Mitrovicës, por edhe të tjerët që jetojnë në Kosovë, do të dalin sot në një numër të madh nëpër qendrat e votimit, që të hedhin votën për partinë e tyre. Kjo sepse, ne që jetojmë këtu, e dimë më së miri sesa me rëndësi është të kemi një qeveri të fortë në Serbi”, tha Goran Rakiç, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

OSBE-ja, si organizatore e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka bërë të ditur se, në listat votuese ndodhen 106 mijë serbë të Kosovës, ndërsa nuk ka pasur probleme gjatë votimit. Zëdhënësi i OSBE-së, Senad Saboviç tha për Top Channel përmes telefonit se, pas mbylljes së qendrave grumbulluese, OSBE-ja i dërgon fletëvotimet në Vranjë dhe Rashkë të Serbisë.

Top Channel