“Të pastrojmë Tiranën”, aksion në vatrat përgjatë lumit të kryeqytetit

23/04/2016 13:45

Për një Tiranë më të pastër dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve në lidhje me këtë temë, ndërmarrjet e bashkisë dhe banorë të zonës morën pjesë këtë të shtunë në pastrimin e disa vatrave përgjatë lumit të Tiranës, në zonën e Shish-Tufinës dhe fshatit Ferraj.

Ndër ta ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili e cilësoi këtë aksion si një barazpeshë ndërmjet qendrës së kryeqytetit me periferinë e tij.

“Jemi këtu për të ndërgjegjësuar qytetarët, për të kuptuar njëherë e mirë se Tirana duhet të pastrohet në çdo cep të saj. Tirana nuk është vetëm qendra, janë edhe këto zona periferike, si kjo zonë e largët ku jemi sot, ku vijmë me dëshirën për të ofruar shërbim, për të ofruar shembullin që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm se Tirana duhet pastruar. Ne duhet të jemi të pastër aty ku jetojmë, sepse jeta jonë bëhet më e mirë duke pastruar”, u shpreh Hado.

Bashkia e kryeqytetit ka ndërmarrë nismën “Të Pastrojmë Tiranën”, në sajë të së cilës organizon çdo muaj takime të ngjashme që kanë për qëllim sensibilizimin dhe angazhimin e qytetarëve në mbajtjen pastër të ambjentit ku jetojnë.

Top Channel