Gjykata e Apelit pritet të japë këtë të premte vendimin e formës së prerë ndaj Xhelal Mziut, kryetarit të Bashkisë së Kamzës, i cili në prill të vitit të kaluar u dënua nga Shkalla e Parë me dy vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Së bashku me Mziun janë dënuar me nga 6 muaj burg edhe dy ish-drejtorë të kësaj bashkie. Në seancën e zhvilluar katër ditë më parë, mbrojtja e kryebashkiakut të Kamzës bëri dorëzimin e disa provave të reja, që sipas saj faktojnë pafajësinë e tij.

Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila e cilëson të ligjshme taksën e shfrytëzimit të ambientit për biznesin, të vendosur nga Bashkia e Kamzës e për të cilën Mziu ishte shpallur fajtor në përballjen me kompaninë që e kishte paditur.

Përballë kësaj prove të re, përfaqësuesi i prokurorisë së Apelit kërkoi kohë që të njihej me të.

Në bazë të këtij vendimi, Mziu ose do të fitojë pafajësinë ose rrezikon arrestimin e menjëhershëm, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 2 vite burgim.

Top Channel