Ndihma ekonomike, pagesë të plotë familjeve në nevojë

21/04/2016 00:00

Të gjitha familjet që do të klasifikohen si përfituese të ndihmës ekonomike nuk do të paguhen më me ndihmë të pjesshme si tani, por do të përfitojnë vetëm pagesën e plotë.

“Nuk do të ketë më ndarje të pjesshme, nuk do të ketë më pjestim të atij buxheti që në shumë komuna dhe bashki ka bërë që pagesa e ndihmës të zbresë deri në 10 mijë lekë të vjetra”, deklaroi ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.

Qeveria po zbaton një sistem të ri për përcaktimin e familjeve në ndihmë ekonomike, fillimisht si projekt pilot në tre qarqe të vendit. “Vetëm përmes këtij sistemi kemi bërë të mundur që në këto tre qarqe familjeve t’u dyfishohet ndihma ekonomike”, saktësoi Klosi.

Ministri hodhi poshtë akuzat se sistemi bazohet mbi kritere të rrepta dhe çon në skualifikimin e padrejtë të shumë familjeve të varfëra nga ndihma. “Nuk është një kriter, as dy, por janë 52 kritere që përcaktojnë realisht se kush familje është e varfër dhe kush jo”, shtoi më tej Klosi.

Aktualisht, në nëntë qarqe të vendit trajtohen me ndihmë ekonomike të pjesshme mbi 40 mijë familje, të cilat me skemën e re do të kenë mundësi të aplikojnë dhe përfitojnë ndihmën e plotë.

Top Channel