Sezoni turistik, masa për lehtësimin e vizave dhe trajtimin e mbetjeve

20/04/2016 17:55

Task forca qeveritare për turizmin ka nisur marrjen e masave për sezonin veror. Kështu, nën drejtimin e ministres Milva Ekonomi u diskutua këtë të mërkurë për rritjen e sigurisë publike dhe shëndetësore, lehtësimin e vizave me disa shtete, përmirësimin e sinjalistikës turistike, etj.

“Me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme është diskutuar për disa operatorë turistikë, që duke qenë se janë të angazhuar për të sjellë turistë nga vende të tjera të rajonit, kanë kërkuar një lehtësim vizash për një periudhë më të hershme se ajo që aplikojmë zakonisht”, deklaroi Ekonomi.

Masa do të merren edhe për trajtimin e mbetjeve dhe moskrijimin e pengesave për vizitorët e huaj në rastet e marrjes së kundravatjeve.

“Vendosjen e depozitave ku do të mbahen mbetjet e ngurta dhe ato urbane. Ndërkohë po bisedohet me Policinë e Shtetit për lehtësimin administrativ të gjobave për kundravajtjet e turistëve, që të merren përsipër të shlyhen nga agjencia akomoduese”, tha Ekonomi.

Qeveria synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit me qëllim që sektori i turizmit të jetë një bazë e fortë për rrritjen ekonomike të vendit në 2016.

Top Channel