Liria e medias, Shqipëria në vendnumëro: Nuk ka qasje në informacione shtetërore

20/04/2016 00:00

Në raportin e fundit të saj për lirinë e shtypit nëpër botë, organizata “Reporterët pa kufij” me seli në Paris e radhit Shqipërinë në vendin e 82-të, i njëjti pozicion që mbante edhe vitin e kaluar. “Rruga drejt Bashkimit Europian është e gjatë”, thuhet në pjesën kushtuar vendit tonë.

Ky, – kujton organizata, – ishte dhe përfundimi i raportit vjetor të Komisionit Europian në fund të 2015-s mbi kandidaturën e saj për pranim në BE. Ekspertët, – vazhdon ajo, – theksuan se nevojitet një implementim më i mirë i legjislacionit, që garanton lirinë e shprehjes.

Grupi vëren më tej se shpifja në Shqipëri, që prej 2012-s nuk është ndëshkuar më me burg, por vetëm me gjoba. Pavarësisht ligjeve të lirisë së informacionit të adoptuara në 1999-n dhe 2014-n, qasja ndaj informacioneve shtetërore vazhdon të mbetet e kufizuar dhe, sa për autoritetin rregullator të transmetimeve në media “AMA”, “Reporterët pa kufij” e kanë të qartë përkufizimin: është i politizuar.

Indeksi rendit 180 vende të botës në bazë të lirisë që kanë gazetarët në secilin prej tyre. Drejtori ekzekutiv i organizatës, Christian Mihr i tha “Deutsche Welle”-s se, Maqedonia, Shqipëria e Kosova kanë ndërhyrje politike e jo transparencë në pronësitë mediatike. Duke cituar deklaratën e të ngarkuarës së OSBE-së për lirinë e mediave, bërë majin e 2015-s, Mihr argumenton se, si shumë shtete të tjera anëtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Shqipëria mund të përfitonte nga një shkallë më e lartë e pavarësisë mediatike.

Politikanët dhe pronarët e bizneseve, – vazhdon ai, – duhet të ndalojnë manipulimin e mediave dhe institucioneve si “AMA” dhe t’i lënë gazetarët dhe profesionistët ta bëjnë në mënyrë të pavarur punën e tyre në përfitim të publikut shqiptar.

Europa me 19.8 pikë vazhdon të ketë median më të lirë në të gjithë globin – e në kontinentin e vjetër kryeson Finlanda, – e ndjekur nga Afrika me 36.9 pikë, e cila për të parën herë ia kalon dy Amerikave me 37.1 pikë, një rajon ku dhuna ndaj gazetarëve është në rritje.

Top Channel