Kastrati hedh poshtë lajmet për presion nga Shullazi

20/04/2016 00:00

Presidenti i grupit “Kastrati”, Shefqet Kastrati, me anë të një deklarate përgënjeshtroi lajmet që e përmendin si një prej biznesmenëve të shantazhuar nga shtetasi Emiljano Shullazi.

Në deklaratë thuhet: “Deklarojmë se nuk kemi pasur asnjë kontakt, bisedë, presion apo shantazh nga asnjë person, madje personat e përmendur në lajm si Emiljano Shullazi nuk i kemi njohur kurrë”.

Më tej thuhet se “as Prokuroria, Policia dhe asnjë strukturë tjetër ligjzbatuese nuk është investuar nga ne dhe as nuk na ka kërkuar, pyetur apo verifikuar rreth këtij aludimi të pavërtetë”. Kompania “Kastrati” bën të ditur se përfshirja dhe implikimi në mënyrë të papërgjegjshme e Presidentit të “Kastrati Group” nga institucione apo media të caktuara, pa asnjë lidhje me të vërtetën, pa fakte, ankesë, pyetje dhe verifikime, na bëjnë të dyshojmë për veprime tendencioze të sponsorizuara nga konkurrenca e pandershme, me synim dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të kompanisë dhe drejtuesit të saj.

Grupi “Kastrati” i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë menjëherë hetimet rreth mënyrës së fabrikimit dhe shpërndarjes së kësaj shkrese dhe këtij lajmi të pavërtetë. Si dhe fton çdo organ ligjzbatues të bëjë publike provat dhe faktet mbi të cilat pretendohet, në të kundërt kërkohet të bëhet menjëherë përgënjeshtrim. Në rast të mosreagimit, kompania do t’i drejtohet gjykatës.

Top Channel