Investimet në Tiranë, së shpejti kartë rezidenti për parkimet

20/04/2016 00:00

“Banorët e Njësisë Administrative nr. 5 në Tiranë, në bllokun e pallateve “Shushica”, nga sot do jetojnë në një ambient të standardeve më të mira”. Kështu e konsideroi kryetari i bashkisë investimin e bërë gjatë 7 muajve në këtë lagje, një zonë e lënë në harresë prej vitesh.

“Më kujtohet fare mirë sesi kjo zonë ishte një kalim me pengesa gjatë ditëve të fushatës, vetëm pak muaj më parë, ndërsa sot është një nga lagjet me rritjen më të madhe të vlerës së pronës në këto 7 muaj. Më vjen mirë sepse këtu kemi vendosur një standard të cilin do ta ruajmë në të gjitha investimet e bashkisë në Tiranë”, tha Veliaj.

Njësia 5, shtoi Veliaj, njihet për pagesën më korrekte të taksave dhe ato po i kthehen pas në formën e investimeve. Në bllokun prej 5.6 hektarë do të aplikohet për herë të parë edhe parkimi i rezidentëve, për t’u shpërndarë më pas në gjithë kryeqytetin.

“Duke nisur nga muaji tjetër, qytetarët do të mund të marrin kartën e rezidentit, duhet të provojnë që kanë një makinë dhe apartament në këtë zonë të rikonstruktuar, çka do u mundësojë të kenë vendin e tyre të sigurt të parkimit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Duke kërkuar që banorët të kujdesen për investimet e bëra në këtë zonë ai njoftoi ndërhyrjet edhe në lagje të tjera të njësisë administrative nr. 5, sikurse është zona e Selitës.

Top Channel