“Rrugëtimi” i një foshnjeje të braktisur…

19/04/2016 00:00

Në barkun e nënës, gjithçka i dukej e sigurt dhe e rrethuar me dashuri, por në momentin që u përball me botën, kur erdhi në jetë, kuptoj që gjërat nuk shkonin aq mirë sa dukeshin.

Arsye që do të donte t’i kuptonte një ditë, do të ishin ato që e çuan mamanë e tij të re, ta braktiste në maternitet. Dhe në këtë moment vendimtare të braktisjes pas asaj pritjeje 9 mujore, nuk bën përshtypje as duart e vockla, as shikimi i tij, as e qara…

Shumë nëna të reja, zgjedhin të braktisin fëmijët e tyre të sapolindur. Disa nga faktorët janë: mosha, opinioni publik, kushtet ekonomike e sociale, që kanë bërë në 20 vite, të kemi 700 fëmijë të braktisur.

Itinerari që ato ndjekin i sfilit këto foshnje të vogla, që dënohen që në lindje me “braktisje”.

Mario ka vetëm një javë që ka lindur, ai është transferuar nga materniteti i Lushnjës, drejt djepit të engjëjve, vetëm para 4 ditësh, ndaj dhe si më i vogli, ka gjithë përkujdesjen e stafit mjekësor.

Para se të braktisin bebet e tyre te porsalindura, nënat duhet të plotësojnë një formular, ku jo vetëm japin të dhënat e tyre personale, por edhe arsyet e këtij vendimi.

Rruga e bebeve të braktisura është e gjatë, ndaj si destinacion final është pikërisht shtëpia e foshnjës, “Hana dhe Rozafa”, ku qëndrojnë deri në moshën 6-vjeçare. Gjate këtij viti i janë bashkuar kësaj shtëpie edhe 2 fëmijë të tjerë, duke e çuar numrin aktual në 24. Rastet kur mamatë kthehen të penduara për të rimarrë fëmijët e tyre janë gjithnjë e më të rralla.

Në vitin 2015, vetëm kjo shtëpi fëmijësh ka pasur 49 fëmijë të braktisur, nga të cilat 18 janë birësuar dhe një është kthye në familjen biologjike.

Top Channel