Raporti për Prokurorinë, Halimi mbron Llallën nga socialistët

19/04/2016 13:35

Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë për inspektimet në disa prokurori nxorën në pah pozicionet politike pro dhe kundër Prokurorit të Përgjithshëm.

“Ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm, të paktën nga informacioni që ka sjellë, tregon që ka reflektim jo në nivelin e duhur të rekomandimeve të kontrollit që keni bërë ju”, tha deputeti Ulsi Manja.

“Dhe ju, thuajse në çdo 3-4 fletë na thoni se, nuk ka reagim nga Prokurori i Përgjithshëm”, u shpreh gjithashtu socialisti Pandeli Majko.

Ministri i Drejtësisë konfirmoi mungesën e reagimeve nga Prokurori i Përgjithshëm, por nuk e përkufizoi si në ngërç marrëdhënien.

“Mund të pyesni Prokurorin e Përgjithshëm sesi e ka pas hallin, kur të vijë këtu ua thotë ai. Mua më shqetëson problematika e funksionimit të Pokurorisë”, tha ministri Ylli Manjani.

Demokratët pranuan problemet e mëdha në hetimin penal, por i dolën hapur në mbrojtje Prokurorit të Përgjithshëm, dukshëm duke nënkuptuar situatën me arrestimin e Emiliano Shullazit.

“Keni gjetur ditën e gabuar për t’i gjuajtur Prokurorisë. Mund të ishte bërë edhe para, ose pas një jave, por në këto ditë është e gabuar”, u kundërpërgjigj demokrati Eduard Halimi.

Por, sipas Manjanit, Drejtësia nuk është çështje e një dite dhe se, Reforma në Drejtësi është ajo që duhet t’i japë fund situatës aktuale.

“Sot ne kemi prokuror zyre. E ka alibinë në xhep. Kemi 20 vite që e dëgjojmë shprehjen ‘nuk ma solli policia’, ‘humbi gjurma’, ‘i iku hetimit’. Prokurori nuk e merr vet përgjegjësinë, por ia çon gjykatës. Mundesisht t’ia çojmë edhe Gjykatës për Krimet e Rënda dhe…Zoti na ruajttë pastaj”, tha Manjani.

Top Channel