Kërkesa e PD pas debateve për kërcënimin e kandidatit Koni: Të shtyhen zgjedhjet

19/04/2016 00:00

Partia Demokratike kërkoi që ministrja e Arsimit Lindita Nikolla të raportojë në komisionin e medias për zgjedhjet në univesitete, pasi situata e krijuar sipas saj me kërcënimin e kandidatëve është mjaft e rrezikshme.

Në këto kushte për opozitën nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe ato duhen shtyrë.

“Situata ëshë dramatike, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen, ka reagim nga stafet akademike, nga studentët. Të vijë përfaqësuesja e qeverisë të vendosim disa përfundime mbi procesin, sai i ligjshëm është. Nëse akademikët kërkojnë shtyrjen e tyre të bëhet dhe shtyrja e tyre”, tha Luçiano Boçi, PD.

Por socialisti Alfred Peza tha se politika duhet të rrijë larg zgjedhjeve në universitetet, dhe i kujtoi demokratëve se gjatë kohës së tyre në pushtet ka qënë vetë qeveria që sillej si bandë.

“Nuk ka pasur nevojë në 8 vitet e kaluara që ndonjë bandë të ndërhynte për ndonjë zgjedhje të një rektori se vetë qeveria sillej si bandë. Kemi qënë të gjithë dëshmitar që kandidatëve alternativ nuk i është lejuar të kenë akses në asnjë media”, tha Alfred Peza.

Kërkesa e opozitës për raportimin e ministres nuk u miratua nga mazhoranca në komision, ndërkohë reagoi kryetari i komisionit të medias Genc Pollo.

“Kemi një vlerë të shtuar, vlerë negative, sepse kemi të bëjmë me jnë ndërhyrje shullaziko politike”, tha Genc Pollo, kryetar i komisionit të medias, PD.

Zgjedhjet për krerët e universiteteve zhvillohen nesër në të gjithë vendin.

Top Channel