Kanabis për të varfërit. Sterkaj: Të ndryshojmë kodin për mbjelljen e kërpit

19/04/2016 20:00

Prej 10 vitesh, dhjetra fermerë në Malësinë e Madhe janë përballur me akuzën se po kultivonin drogë. Ata kishin mbjellë një bimë të quajtur kërp industrial, porositur nga një kompani britanike.

Por, për policinë që shkatërroi të mbjellat dhe arrestoi fermerët, bëhej fjalë për drogë. Por, përse?

Deputeti socialist Paulin Sterkaj shpjegon: “Niveli i THC-së te hashashi është 0.15%, kurse kërpi e ka 0.01%. Por, për shkak të tokave, shpeshherë niveli i THC-së shkon 0.03 dhe 0.05%“.

Paulin Sterkaj, si deputet i zonës së Malësisë së Madhe, ka ndërmarrë një inisiativë për ndryshimin e Kodit Penal, në mënyrë që kjo histori të marrë fund.

“Unë dua t’i jap zonës sime, por edhe zonave të tjera të ngjashme, sepse janë toka shumë të varfra, mundësinë për të mbjellë këtë kulturë, pasi e kanë të vështirë të prodhojnë të tjera”, thotë deputeti.

Sipas Sterkajt, përfitimi ekonomik nga kultivimi kësaj bime tërësisht industriale do të jetë shumë i madh për vetë kërkesën që ka tregu europian.

Top Channel