“Fiks Fare”, skandal në Gur të Zi, kushëriri firmos për kryetarin e njësisë administrative

19/04/2016 00:00

Kushëriri i kryetarit të njësisë administrative të Gurit të Zi, firmos në vend të kryetarit. Sa herë që kryetari i njësisë administrative të Gurit të Zi në Shkodër largohej nga detyra, zyrën e tij e zinte kushëriri i tij, i cili, përveç çelësave të zyrës, mbante edhe vulën e njësisë administrative, madje edhe firmoste shkresat në emër të kryetarit.

Kjo u zbulua nga punonjësit e burimeve njerëzore të Bashkisë së Shkodrës, të cilët kishin shkuar në këtë njësi administrative për një inventar fizik. Në momentin kur grupi i kontrollit nga Bashkia Shkodër shkoi në njësinë administrative Gur i Zi, administratori Pjerin Marku nuk ishte në vendin e tij të punës. Për të firmoste dhe vuloste një person, i cili nuk u identifikua dot nga punonjëset e Bashkisë Shkodër.

Në datën 24.12.2015, ditën kur u bë dhe inventari fizik, punonjëset e bashkisë mbajnë një procesverbal në të cilin thuhet: “Kur punonjësja e protokollit po lëshonte një vërtetim për saktësim të dhënash, ia jepte për firmë dhe vulosje një personi, i cili firmoste dhe vuloste në emër të administratorit. Ky person identifikohet si i afërm i tij”.

Procesverbali është mbajtur nga drejtoresha e burimeve njerëzore, Bashkia Shkodër, Ardita Peraj, si dhe nga punonjëset Manjola Fushxhia dhe Vanesa Rroji. Në procesverbal kanë firmosur dhe tre punonjëse nga njësia administrative e Gurit të Zi: Pranvera Mustafa, Ardiana Marku dhe Valbona Marku. Megjithëse ngjarja kishte ndodhur disa muaj më parë, nuk ishte marrë asnjë masë për administratorin Pjerin Marku.

“Fiks Fare” shkoi në këtë njësi administrative dhe kontaktoi me dy prej punonjëseve të kësaj njësie, që kishin firmosur procesverbalin. Valbona Marku, punonjëse e njësisë administrative Gur i Zi, tregoi për “Fiks Fare” se administratori nuk ka qenë në punë për disa ditë. Sipas saj, gjatë këtyre ditëve, atë e ka zëvendësuar një i afërm i tij, i cili mbante çelësat e zyrës, madje vuloste dhe firmoste për të.

Zonja tregoi gjithashtu se administratori i kërcënonte vazhdimisht se do e largonte nga puna. Kjo zonjë i vë në dispozicion gazetares së “Fiks Fare” dy dokumente të ndryshme të firmosura nga Pjerin Marku, por që firmat janë të ndryshme, pra nuk ka firmosur i njëjti njeri. Zonja thotë se në vendin e administratorit Pjerin Marku ka qëndruar për disa ditë kushëriri i tij, Armando Marku.

Afërdita Marku, punonjëse e njësisë administrative Gur i Zi, është një tjetër zonjë që ka firmosur procesverbalin e mbajtur në datë 24 dhjetor. Është punonjëse në zyrën e financës së njësisë administrative dhe tregon se ndihet e kërcënuar në punën që bën, sepse administratori që kur ka ardhur i ka thënë se do ta largojë nga puna.

“Fiks Fare” iu drejtua vetë administratorit për të kuptuar a ishte i vërtetë procesverbali dhe a abuzonte ai realisht me postin e tij, duke lënë dikë tjetër si zëvendësues? Pjerin Marku s’e pranon që nuk ka qenë në vendin e tij të punës. Thotë se nuk ka qenë në Shqipëri, ka qenë me leje, por procesverbalin e ka firmosur vetë një ditë më parë. I pyetur, a është firma e tij ajo e lëshuar mbi një dokument të datës 24 dhjetor 2016, ai thotë: Po.

Kur i kërkohet nga gazetarët të firmosë për të krahasuar firmën e tij me atë që ndodhet në dokumentin që ka gjetur grupi i kontrollit të Bashkisë së Shkodrës, nuk pranon. Kërkon të nxjerrë jashtë zyrës grupin e xhirimit të “Fiks Fare”, të cilët i kërkojnë që të njihen me firmën e tij.

Bashkia Shkodër u shpreh zyrtarisht për këtë problem nëpërmjet zv.kryetarit të Bashkisë Shkodër, Arben Gjuraj. Ai tha për “Fiks Fare” se ky problem është konstatuar nga Bashkia e Shkodrës dhe se do të merren masa. Problemet që bashkia ka pasur me njësitë administrative kanë qenë të shumta.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA