Falen detyrimet për mbi 5 mijë ushtarakët

19/04/2016 00:00

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare nga rillogaritja e bërë me ligjin e 2010.

Ministri Klosi tha se bëhet fjalë për rreth 984 milionë lekë që falen.

“U krijuan këto debi që kanë vijuar të shlyejnë këto detyrime duke u ndalur në 20 përqind të pensioneve mujore të gjithë këtij grupimi ish-ushtarakësh. Sjellim sot para Parlamentit kërkesën për faljen e debisë për 5425 ish-ushtarakët”, deklaroi ministri Klosi.

Edhe Partia Demokratike ishte dakort, por kërkoi që qeveria të mendojë më shumë për të gjithë pensionistët duke indeksuar rritjen e përvitshme të ushqimeve dhe mallrave bazë të konsumit.

“I lërkojmë qeverisë që këtë sforco që bëri për rreth 1 mld lekë për të falur detyrimet për ish-ushtarakët, të mund ta bëjë edhe për kategori të tjera të pensionistëve në mënyrë që të paktën rritja e pensioneve të mbulojë normën e inflacionit që kanë kategoritë e ushqimeve”, tha Bode.

Ligji i 2010 i detyronte disa ish-ushtarakë të rikthenin në arkat e shtetit një pjesë të pensionit suplementar të përfituar pasi formula e re ndryshonte llogaritjen. 

Top Channel