Djegia e pyjeve, shfaqen tri vatra zjarri në pyjet e Bulqizës

19/04/2016 00:00

Mali i Homeshit pranë zonës së Maqellares në Dibër është përfshirë nga flakët paraditen e sotme. Informacioni ka ardhur në redaksinë e Top Channel nëpërmjet rubrikes “Ti Raporton”.

Dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme duke pasur parasysh faktin që temperatura në këtë zonë nuk kanë kapur ende pikun për të rrezikuar zjarret natyrore. Zona e përfshirë nga flakët ndodhet në një terren të rrezikshëm malor dhe është mjaft e vështirë për të ndërhyrë në shuarjen e tyre.

Ndërsa, paraditen e sotme janë shfaqur tre vatra zjarri në pyjet e njësisë administrative Fushë-Bulqizë në Malin e Bardhë dhe asaj të Temles dhe një tjetër vatër e madhe në Malin e Homeshit ne njesine administrative Shupenzë, të Bulqizës. Zjarri i ndihmuar nga era është përhapur me shpejtësi duke përfshirë qindra hektar pyje.

Burime reparti i emergjencave bëjnë me dije se nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të vështirë dhe se e vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Ndërkohë sipas policisë lokale një nga pistat e hetimit është zjarrvënia e qëllimshme për të shtuar sipërfaqet e kullotave.

Top Channel