Në ceremoninë shtetërore për t’i dhënë lamtumirën njërit prej personaliteteve më të shquara të historisë gjermane të pasluftës, Hans-Dietrich Genscher, soliste ishte e ftuar violinistja me origjinë shqiptare, Ervis Gega-Dodi.

Gega-Dodi luajti një pjesë të kompozitorit gjerman, Georg Friedrich Hendel, i cili vjen nga i njëjti qytet si Hans-Dietrich Genscher, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Violinistja, nëpërmjet interpretimit të saj ka përcjellë përjetimin e jashtëzakonshëm që ka ndierë si soliste në këtë ceremoni.

Performanca e violinistes me origjinë shqiptare u ndoq në një transmetim special kombëtar të televizionit gjerman “ZDF”, nga miliona shikues.

Hans-Dietrich Genscher ishte për 18 vite ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe një nga arkitektët e ribashkimit gjerman.

Që me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, më 1987-n, ai dha një kontribut aktiv në afrimin e vendit tonë me Gjermaninë dhe me strukturat europiane.

Genscher ndërroi jetë më 31 mars. Pas ceremonisë shtetërore të zhvilluar të dielën e 17 prillit, ai u dërgua në banesën e fundit, pranë Bonit.

Top Channel