Kandidatja Klodeta Dibra: Keqardhje që u politizuan zgjedhjet

18/04/2016 00:00

Kandidatja për Rektor në Universitetin e Tiranës ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes që lidh emrin e Emiljano Shullazit për kërcënim të rivalit të saj me Mynyr Konin.

E ftuar në Top Story-n e kësaj të hëne, Klodeta Dibra foli edhe për problematika në fushatën zgjedhore.

“Të mos vonojë drejësia dhe të zbardhë nëse është e vërtetë dhe nëse është sajesë, kush e ka bërë dhe pse e ka bërë. Në të gjitha rastet fushatat kanë patur problemet e tyre, ndaj edhe kjo fushatë kishte probleme sa i përket pritjes së kandidatëve në fakultetet, diskriminimit apo favorizimit të një kandidati apo një tjetri, intimidimi i stafit akademik. Sot kam thënë që të konfirmoheshin kamerat në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku zoti Koni është Dekan. Ai ka thërritur  të gjithë pedagogët në zyrën e vet. Po përdoren mjete që nuk duhet të ishin përdorur dhe nuk kishte pse të hynte politika, aty ku hyn politika gjërat shkojnë keq”, tha ajo.

Dibra thotë se Koni ka refuzuar debatin publik me të dhe ballafaqimin e vizioneve për drejtimin e universitetit.

Kandidatja për deputete shprehet se nuk është njoftua nga pjesa tjetër e drejtuesve të Universitetit të Tiranës për të firmosur deklaratën e përbashkët.

“Vërej që Klodeta Dibra nuk është thirrur për të firmosur deklaratën dhe kam më shumë se dy ditë që po përpiqem që të bëj publik qëndrimin tim. Nuk është faji im që në deklaratë nuk është emri im, faji është i atyre që e kanë hartuar këtë deklaratën”, u shpreh ajo. 

Top Channel