“Fiks Fare” zbulon skemën e marrjes së lejes provizore në Himarë

18/04/2016 00:00

Emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel zbardhi mbrëmjen e së hënës skemën e marrjes së një leje ndërtimi provizore në plazh, nga Bashkia e Himarës, në prag të sezonit turistik.

Një emigrant shqiptar erdhi nga Italia për të investuar në Borsh. Por, në vend që të gjente bashkëpunim me organet vendore, ai bëhet prè e skemave të korrupsionit.

Emigranti rrëfeu për “Fiks Fare” sesi në Bashkinë e Himarës, përveç dokumentacionit i kërkuan të dorëzonte edhe dy zarfe me parà.

“Kam ardhur për një problem që më kanë nxjerrë në ish-komunën e Borshit, Bashkia Himarë. Mora një tokë me qira, në të cilën doja të ngrija një lokal sezonal por po më nxjerrin probleme me lejen. Me pak fjalë do të thotë se më kërkojnë parà”, ka rrëfyer Jerin Kruja, banor i Himarës.

Pas këtij denoncimi në emision, gazetarë dhe kamera e TCH shkuan në Borsh pikërisht për lejen e shfrytëzimit që i mohohet qytetarit në fjalë.

“Thjesht doja një leje për aktivitet sezonal, për kamping, një restorant të vogël për shërbim, një bar, një kënd lojërash. Projektin e kam ideuar dhe më 2 mars është bërë kërkesa e parë në ish-komunën e Lukovës. Më thanë që do të prisja 4-5 ditë për përgjigjen mbi lejen, por ajo nuk erdhi as pas 20 ditësh. Shkova drejtpërdrejt në Bashkinë e Himarës dhe bëra kërkesë, por atje m’u përgjigjën se leja që kërkoja nuk ekzistonte. Bëra një kërkesë të dytë, ndërkohë që më erdhi një person dhe më tha se nuk duhej të bëhesha merak, pasi ishin të gjitha gjërat në rregull. Ky ishte Sokrat Kreku, inxhinier i Bashkisë së Himarës. U ktheva në atë bashki për të folur me këtë zotëri, e më kërkoi një vërtetim të certifikatës së pronësisë dhe licencën e punës sime. U kërkova një listë me gjërat që duhej të plotësoja, por nuk më dhanë gjë. Pas rreth një ore bisedë më tha se një tjetër investitor kishte bërë të njëjtën procedurë, por as ai nuk kishte mbaruar punë. Zgjidhja e gjetur prej tyre ishte duke dorëzuar zarfin te zoti Kreku, për atë personalisht, dhe një tjetër për kryetarin, por se për cilin bëhej fjalë nuk e di. Për biseda të tjera do të flisnim vetëm përmes telefonit. I telefonoj dhe i them se çfarë donin e çfarë duhej të bëja, sepse nuk isha mësuar të jepja zarfe. Nuk ma tha sesa parà donte në telefon, por më kërkoi të takohesha sërish personalisht dhe unë nuk pranova. Më pas, pasi pronarja e tokës më nxori certifikatën e pronësisë, ia çoj atë në kohë rekord. Përgjigjja e tyre ndaj pronares ishte: nuk iu kam kërkuar asnjë lloj dokumenti. Nuk e di pse ndodhi ky ndryshim komunikimi i tij me mua, por besoj se dikush mund t’i ketë sugjeruar se unë mund t’ia kisha regjistruar telefonatën. Unë besoj te projekti im, por nuk mendoj se ia vlen më për këtë sezon veror, të cilin unë e humba”, shprehet para mikrofonit të “Fiks Fare” Jerini.

“Qiraxhiut tim nuk i jepet leja e ndërtimit dhe nuk e kuptoj pse, për arsye se do të jetë një ndërtim jo i përhershëm, jo me beton, por me materiale të lëvizshme”, shprehet nga ana tjetër Lulëzime Çeço, banore e Himarës dhe pronare e truallit ku do të investohej.

Megjithatë, askush nuk e dinte se investitori Jerin Kruja ka hyrë në bashki dhe ka regjistruar bisedën me punonjësin e këtij institucioni vendor.

Biseda me Sokrat Krekun, inxhinier i Bashkisë Himarë.

Inxhinieri: Po tani unë, djali, nuk mund t’i them më jep direkt idenë tënde, pa marrë ‘ok’ përfundimtar. Se në fund fare firmos kryetari i bashkisë.
Inxhinieri: Ti jeton në Itali?
Qytetari: Unë jetoj në Itali…
Inxhinieri: Ti jeton në Itali. Unë kam studiuar dhe kam jetuar në Greqi.
Qytetari: Unë s’po di çfarë të bëj, se i kam…
Inxhinieri: Tani, ke punë urgjente në Itali?
Qytetari: Si?
Inxhnieri: Ke punë urgjente në Itali, që të pret urgjentisht?
Qytetari: Po kam punë urgjente, kam…
Inxhinieri: Data është 25. Nuk mund të rrish ti 20 ditë ose një muaj, sa të bëhen dokumentet gati të rrish ti çdo ditë të presësh. Po ik o zotëri në Itali, bashkë me familjen tënde dhe mbaro punët e tua që ke. Njëkohësisht komunikojmë nëpërmjet telefonit dhe nga Italia.
Qytetari: Jam mësuar të di sa është, sa s’është? Kështu jam mësuar unë t’i bëj llogaritë plako. Dua të di, se edhe unë kam ato…
Inxhinieri: Po nuk diskutova me atë që do të vejë firmën te ty edhe njëherë sesa mund të shkojë, nuk të jap dot. Mund të të jap nga ana ime, të të them që kjo punë… “x” lekë vlen për mua. Mbasi ti ke marrë ‘ok’-in sesa shkon, se në Shqipëri kështu funksionon. Vërtet mund të ta japë lejen, të ta hedhë firmën tjetri, por ka një kosto.
Qytetari: Me një fjalë duhet të marrë drekën ai tjetri?
Inxhinieri: (Nënqesh) ki besim. Për shembull ajo gruaja, zonja që erdhi nga Italia e kishte parashikuar vet, ajo tha këto janë të tuat… këto janë për atë dhe ashtu u bë, as që bëra pazar, asgjë. Që nga shtatori deri sa mori atë, vinte një herë në muaj për atë çështje dhe mbaroi punë. Edhe dokumentin ia ku e ka, këtë dokumentin që po kërkon ti.

Nga një prej bisedave në telefon…

Qytetari: Po ja pra jemi në telefon bashkë, apo jo?
Inxhinieri: Po jo more vëlla nuk të them dot unë pa marrë konfirmimin, sepse nuk jam vetëm unë… Unë të thashë, do të të marr në telefon, ti tani… Çfarë të të them unë tani…
Qytetari: Po mirë more a e lamë, më the ti do të flasim në telefon e kështu me radhë… Unë po ashtu të lëviz, të iki të mbaroj punët e mia.
Inxhinieri: Unë të këshillova ty të lëvizje të mbaroje punë, edhe nga java të thashë, mbasi të kthehem nga Athina do të të marr në telefon dhe do të të sqaroj për këtë temë.
Qytetari: Për? Nuk të kuptova…
Inxhinieri: Ti tani po nxiton dhe duke nxituar ti, më nxiton edhe mua dhe unë nuk kam sesi të komunikoj nëpërmjet, sepse duhet të jem vet i pranishëm me tjetrin të flasë ballë për ballë.
Qytetari: Mua nuk më pret puna në asnjë mënyrë, kam një muaj këtu dhe nuk po di çfarë të bëj. Sot më the diçka dhe unë po të them, hë si është muhabeti që ta mbarojmë këtë punë sa më shpejt. Edhe ne të biem rehat, edhe të jenë të gjitha gjërat tamam. S’po di çfarë të bëj…
Inxhinieri: Jerin bëj pak durim deri nesër, do të të kthej përgjigje.
Qytetari: Kështu me hamëndje nuk e di ti? Nuk e ke parasysh?
Inxhinieri: Jo, jo nuk fliten këto kështu… Mbi të gjitha mund ta lë edhe në dëshirën tënde, mbasi të marr ‘ok’, mos ki merak.
Qytetari: Si me dëshirën time, mbasi të marrësh ‘ok’-in?
Inxhinieri: Ore mos u shqetëso tani, unë po të them ki durim.
Qytetari: Nuk e kuptova çfarë do të thotë?
Inxhinieri: Do të flasim nga afër.

Por cila është arsyeja që inxhinieri nuk i mbaroi punë qytetarit? Kësaj pyetjeje që lind natyrshëm, gazetarët e “Fiks Fare” u përpoqën t’i merrnin një përgjigje.

Biseda në Drejtorinë e Shërbimeve në Bashkinë e Himarës.

Qytetari: Pastaj këto lejet kur do të na dalin, apo kur do miratohen?
Inxhinieri: Në maj do fillojnë.
Qytetari: Në maj?
Inxhinieri: Po në maj, se tani s’ka dalë urdhri akoma. Në fund të muajit na tha kryetari që mund të ndryshojë nga ministria.
Qytetari: A më the ti mos u bëj merak se neve do ta sistemojmë çdo gjë, flasim… bëjmë… tani unë nuk po marr vesh.
Inxhinieri: Të thash mos u bëj merak, se do të të ndihmoj unë dhe seriozisht do të të ndihmoja. Unë do t’i kisha bërë të gjitha. Por në momentin që më merr mua në telefon gjithë Borshi dhe të gjithë njerëzit për një çështje të tillë… atëherë unë bëj mbrapa, them vazhdo bëje punën vet.

Drejtoria e Shërbimeve pranë Bashkisë së Himarës është institucioni përgjegjës që jep lejet e shfrytëzimit sezonal. Kamera e TCH i është drejtuar kësaj drejtorie për të kuptuar se përse nuk i është dhënë kjo leje shtetasit Jerin Kruja.

“Personi në fjalë ka bërë këtë kërkesën por nuk është plotësisht e saktë. Kësaj kërkese i mungon faktin se, e kujt është prona për të cilën ai ka bërë aktmarrëveshje”, tha Arqile Balloni, drejtor i Shërbimeve në bashki. (Ndërkohë që inxhinieri i kishte thënë qytetarit se kishte dorëzuar kërkesën e tij dhe pronësinë që kishte zonja e sipërpërmendur).

“Kërkesës i mungon se e kujt është prona. Duhet ta dimë se për këtë pronë që ka ai, ka lidhur një kontratë qiraje dhe tashmë mund të shfrytëzohet nga personi në fjalë”, vijoi më tej Arqile Balloni. Ndërkohë, zonja e truallit ka rrëfyer më herët se “ndihet e penguar për arsye se qiraxhiut të saj nuk i jepej leja e ndërtimit dhe nuk e kuptonte pse-në”.

Sipas drejtorit të Shërbimeve, “megjithëse nuk ka ardhur afati ende për ta shqyrtuar, ne iu sugjerojmë njerëzve se për të marrë një leje duhen një sërë dokumentesh. Ndërkohë që deri më tani mund të jenë rreth 50 kërkesa të ardhura për këtë punë”. Sa i përket kohës, nëse iu premton apo jo bizneseve të ngrejnë gjithë këto investime sezonale, ai tha se “koha premton, sepse konstruksionet janë të çmontueshme dhe nuk duan shumë kohë të ngrihen”.

Top Channel