Dy javë pasi fituan në mënyrë simbolike një garë të veçantë, këngëtari Sidrit Bejleri, portieri i Kombëtares, Alban Hoxha, si dhe përfaqësues të Top Medias çuan deri në fund premtimin e dhënë: dhurimin e 1.25 milionë lekëve për Qendrën Kombëtare kundër Autizmit.

“Është një plagë me të vërtetë e thellë e shoqërisë dhe lus Zotin që të mos ta provojnë shumë njerëz. Të gjithë ata që i kanë mundësitë, e për këtë shtresat e institucionet nuk janë të pakta, le të bëjnë diçka. E rëndësishme është që ta çosh nëpër mend dhe të hedhësh hapin e parë drejt këtyre institucioneve”, u shpreh këngëtari Sidrit Bejleri.

“Çdo kategori personash e biznesesh, sportistë, artistë apo aktorë duhet t’i ndihmojnë sadopak këta fëmijë”, tha portieri i Partizanit dhe Shqipërisë, Alban Hoxha.

“Në radhë të parë dua të falënderoj Top Median dhe emisionin e tyre, që u treguan të gatshëm të ofronin këtë lloj ndihme për Qendrën Kombëtare për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve. Në fakt, ndihma që na dhanë prek shtresën më të varfër të këtyre familjeve”, tha Migena Kika, drejtoreshë e QKMZHRF.

Në 13 vite, kjo ishte hera e parë që bëhej një gjest kaq human nga një institucion joqeveritar, dhe i pari që solli një ndryshim në këtë qendër shëndetësore, ku siç shihet nga pamjet, gjendja lë shumë për të dëshiruar.

Top Channel