Thahet lumi Devoll, prej tre ditësh janë mbyllur portat e hidrocentralit

17/04/2016 00:00

Mbyllja totale, prej tre ditësh e portave të HEC-it ka shkaktuar problematika të shumta tek banorët e Bashkisë së Cërrikut, duke prekur në masë më të madhe njësitë Administrative Klos dhe Gostimë.

“Është shkaktuar një dëm i madhe ekonomik. Ne jemi drejt falimentimit. Larva ka filluar po ngordh e gjitha nga mungesa e ujit. Jemi të detyruar t’i kërkojmë ndihmë shtetit”, shprehet një prej banorëve

“Janë shkaktuar dëme të mëdha, pasi nuk kemi ujë për të kryer vaditjet, ka sipërfaqe të mëdha me pjeshkë e serra”, thotë një tjetër banor.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel, kryetari i Bashkisë së Cërrikut tha se i është drejtuar me një shkresë zyrtare “Devoll Hydropower”, duke kërkuar që problemi të zgjidhet sa më parë. Ai tha se është ngritur një grup pune i cili do të verifikojë edhe dëmet e shkaktuara në terren.

Nga ana tjetër, kompania “Devoll Hydropower” tha për Top Channel, se mbyllja e portave është bërë konform të gjitha rregullave dhe parashikimeve.

Sipas saj, kompania ka një kontratë në të cilën është e përcaktuar se gjatë mbushjes se rezervuarit, i cili duhet të arrijë 145 m, mund të mbyllë portat e HEC-it pa lënë asnjë rrjedhje ekologjike. Gjithashtu, kompania sqaron se ka marrë leje nga Ministria e Bujqësisë që për dy javë të mos ketë rrjedhje të ujit në lumin Devoll.

Top Channel