Inspektimi në shëndetësi, mbyllen 3 qendra në Lezhë

16/04/2016 00:00

Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror ka mbyllur tre qendra shëndetësore në periferi të Lezhës për mungesë kushtesh higjenosanitare, pasi ishin braktisur nga banorët.

Për herë të parë ky inspektoriat është duke kontrolluar të gjitha qendrat shëndetësore, spitale publike dhe private në vend, si përsa i përket kushteve higjeno-sanitare, kapaciteteve dhe shërbimeve të treta si ofrimi i ushqimit për pacientët.

“Disa qendra shëndetësore ne i kemi mbyllur. Janë 3 për të cilat është dhënë urdhëri i pezullimit të aktiviteteve deri në momentin e përmirësimit të kushteve. Në krahasim me vitin e kaluar ka patur përmirësime, si në spitalin “Nënë Tereza”, sanatoriumin, dy spitalet e maternitetit, etj”, deklaron kreu i inspektoriatit, Eltar Deda.

Ndërkohë, burime nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se do të ndërhyhet  për të përmirësuar kushtet për 419 qendrat shëndetësore në vend, të cilat tanimë janë në proces tenderimi.

Top Channel