Mustafa ngarkon ministrat përgjegjës për organizimin e mbledhjes së përbashkët

15/04/2016 15:00

Dy qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë pritet që mbledhjen e ardhshme të përbashkët ta zhvillojnë brenda pak javësh në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa deklaroi sot gjatë mbledhjes së qeverisë kosovare, se janë marrë vesh me kryeministrin Edi Rama, që kjo mbledhje të zhvillohet në fund të majit ose në javën e parë të muajit qershor. Mustafa caktoi zëvëndëskryeministrin Kujtim Shala, ministrat e drejtësisë, dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të jashtëm që t’I propozojnë kabinetit qeveritar kohën e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Ata duhet të vijnë me një propozim në mbledhjen e ardhme të Qeverisë, lidhur me kohen dhe vendin dhe çështjet që ne konsiderojmë prioritet dhe pastaj punojmë në përgatitje. Do të ishte mirë që t’i bëjmë përgatitjet që të jetë me herët, do të thotë të jetë në javën e fundit të muajit maj. Mirëpo megjithatë është mirë që t’i vlerësojmë dhe përgatitjet të cilat i kemi nëpër ministri në mënyrë që takimi të jetë përmbajtjesor dhe t’i kontribuojë thellimit të bashkëpunimit të dy vendeve”, tha kryeministri Mustafa.

Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës deri tani kanë mbajtur dy mbledhje të përbashkëta, njërën më 11 janar 2014 në Prizren dhe tjetrën më 23 mars 2015 në Tiranë.

Top Channel