Kosovë, dëshmojnë rojet e liqenit të Badovcit kundër të akuzuarve për terrorizëm

15/04/2016 00:00

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Prishtinës ka vazhduar këtë të premte gjykimi ndaj 5 të akuzuarve për terrorizëm, të cilët janë arrestuar në korrik të vitit të kaluar te liqeni i Badovcit. Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhija, Fehmi Musa dhe Enis Latifi ishin duke regjistruar një video propaganduese, si dhe duke lexuar betimin e kreut të ISIS-it.

Në këtë seancë, para të dyshuarve kanë dëshmuar dy rojet e liqenit të Badovcit, në periferi të Prishtinës, të cilët kanë rrëfyer sesi i kanë ndaluar të dyshuarit dhe si i kanë mbajtur deri në mbërritjen e policisë, e cila më pas i arrestoi ata.

Por dëshmitë e paraqitura nga rojet e liqenit, sipas kërkesës së prokurores së rastit, Drita Hajdari, nuk janë lejuar të dëgjohen nga familjarët e të dyshuarve, as nga mediat, pasi sipas saj mund të cënohet siguria e dëshmitarëve.

Por avokati i njërit prej të akuzuarve, Bajram Tmava kërkoi që dëshmitë të jenë publike, pasi të akuzuarit nuk i kontestojnë ato që thonë rojet e liqenit.

“Dëshmitë e këtyre dëshmitarëve nuk kanë të bëjnë fare me të dyshuarit, por vetëm me atë pjesë që kanë qenë roje të ujëmbledhësit, i kanë vërejtur automjetet dhe kjo nuk është kontestuese, këta të gjithë e pranojnë. Prandaj nuk e di pse po ngremë tensione pa nevojë”, tha Bajram Tmava, avokat.

Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj vendosi që dëshmitë të jenë të mbyllura për publikun, ndërsa caktoi seancën e radhës për më 10 maj.

Top Channel