Durrës, 886 fëmijë “pa” shkollë; nis verifikimi në banesa

14/04/2016 00:00

Plot 886 fëmijë të moshës 7-9 vjeç janë identifikuar se janë jashtë sistemit arsimor në Durrës, ndërsa arsyet nuk dihen ende.

Për këtë qëllim strukturat vendore të Policisë së Shtetit, Bashkisë së Durrësit dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale do të nisin verifikimet në terren.

Barra kryesore e verifikimit bie mbi punonjësit zonalë të policisë, që në bazë të adresave në lista do të trokasin derë më derë për të mësuar mbi fëmijët e paregjistruar.

Në këtë numër nuk përfshihen fëmijët e paregjistruar në gjendjen civile që përbëjnë një tjetër problem që pret zgjidhje.

Gjatë një takimi të organizuar nga UNICEF dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në Prefekturën e Durrësit u deklarua se ky numër mund të jetë rezultat i lëvizjeve migratore të familjeve drejt Tiranës, apo vendeve të BE-së.

Por një pjesë e tyre i përkasin kategorive më nevojtare të komunitetit, familjeve që për arsye të varfërisë ekstreme, apo dhe paaftësisë fizike nuk kanë mundur të çojnë fëmijët në shkolla.

Top Channel