Totozani: Raste dhune në Shtëpitë e Fëmijës, denoncim në Prokurori

13/04/2016 10:05

Avokati i Popullit Igli Totozani ka nisur nga Vlora inspektimin për kushtet e të miturve në Shtëpitë e Fëmijës në të gjithë vendin. Avokati ka ngritur grup të posaçëm ekspertësh pas rasteve të konstatuara të dhunës ndaj të miturve në këto institucione, në Durrës dhe Shkodër.

“Do të ushtrojmë kontrolle dhe monitorime në të gjitha shtëpitë e fëmijës në Shqipëri. Do të vlerësojmë standardet e të drejtave të njeriut. Në grup prej 6 ekspertësh do të filtrojnë çdo qelizë të këtyre qendrave që rriten fëmijë, duke filluar nga dosjet e personelit, nëse janë të përshtatshëm për kryerjen e detyrave dhe nëse plotësojnë standardet e duhura, duke vazhduar me dosjet sociale, psikosociale, dosjet shëndetësore të fëmijëve, infrastrukturën e godinave”, tha z. Totozani.

z. Totozani theksoi se nëse konstatohen raste dhune nuk do të ngurrojë ti dërgojë ato në Prokurori. “Çdo individ që ushtron dhunë të çfarëdolloj natyre, fizike apo psiqike ndaj fëmijëve, duhet të mbajë përgjegjësi”, u shpreh ai. Pas inspektimit në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë, Avokati i Popullit ka evidentuar disa probleme, kryesisht të aspektit shëndetsor, atë të mungesës së mjekut dhe psikologut.

Top Channel