Mat, banorët protestojnë, ndërtuesit e HEC: Po investojmë

13/04/2016 00:00

Ndërtimi i një hidrocentrali në Rukaj të Matit rrezikon të lërë pa ujë për vaditje 500 hektarë tokë të kësaj zone.

Kanali i Sekës, ndërtuar në vitin 1977 ka dy vjet që ka humbur funksionin e tij për shkak se është dëmtuar. Banorët e fshatrave Prell, Rukaj e Rremull protestuan dhe kërkuan rikthimin e kanalit në gjendjen fillestare.

“Dëmtimi i kanalit nga ana e firmes eshte mjaft serioze dhe se uji i këtij kanali tashmë derdhet në lumë”, thotë Vladimir Kurti, banor i zonës.

“Firma e ka dëmtuar pothuajse të gjithë kanalin duke lënë kështu 500 hektarë tokë pa ujë…..një tjetër shqetësim i kryeplakut të fshatit është shfrytëzimi i inerteve pa kriter nga ana e firmës e cila ka ngritur edhe një fabrikë për shfrytëzimin e inerteve,kjo duhet të ndalet”, thotë Isuf Kica Kryeplak i fshatit Rremull.
 
Banorët thonë se zona ka edhe pasuri arkeologjike që po dëmtohen. Kompania që po ndërton hidrocentralin thote se kanali do vihet në funksion shumë shpejt.

“Kanali hapet më 15 maj, zona nuk është arkeologjike”, ka thënë Erando Abdyli, përfaqësues i kompanisë ndërtuese.

Top Channel