Manjani: Riintegrim, burgje të hapura për fëmijët e gratë

13/04/2016 10:45

Një projekt binjakëzimi me Britaninë e Madhe, pritet të ndryshojë tërësisht sistemin penitenciar në Shqipëri, si dhe atë të shërbimit të provës.

Në nisjen e këtij projekti, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka deklaruar se ky projekt nis një epokë të re në sistemin penitenciar shqiptar.

“Një epokë që nuk synon të ndërtojë më burgje, kemi ndërtuar mjaft burgje. Shqipëria nuk mund të jetë vend burgjesh, po vend integrimi, punësimi. Synimi jonë është jo ndëshkimi po rtajtimi. Jo ndëshkimi, po integrimi”, tha Manjani.

Si një nga pikat kryesore që synohet të arrihet nëpërmjet këtij projekti, Manjani ka nënvizuar atë të burgjeve të hapura, fillimisht për të miturit dhe gratë.

“Ne do të arrijmë te standardi që të paktën të mos ofrojmë më burg për të miturit dhe gratë. Një i mitur në burg është fatkeqësi për shoqërinë. Jo izolim me dhunë, po shkollë me dhunë. Po, shkollë me dhunë”, tha Manjani.

Ky projekt do të financohet nga prezenca e Bashkimit Europian në vendin tonë dhe do të mbikqyret nga ekspertë britanikë.

Top Channel