Trashëgimia me koncesion, Forumi: Po përjashtohen specialistët

12/04/2016 00:00

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore reagon sërish ndaj dhënies me qira të monumenteve të kulturës.

Sipas këtij forumi, udhëzimi i miratuar nga Ministria e Kulturës nuk i përfshin specialistët e fushës në konsultim, të paktën asgjë e tillë nuk është e shkruar në letër, sipas anëtarëve të këtij forumi.

“Këtij udhëzimi i mungon qartas jo vetëm transparenca në mënyrën sesi është bërë dhe nuk është konsultuar me specialistët e fushës. Ministria e thotë fjalët e bukura, por kur vjen puna për të shkruar këto kushte dhe kritere, këto mungojnë”, thotë Gjergji Bojaxhi nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Drejtuesja e Institutit të Monumenteve, e pyetur për këtë çështje thotë se specialistët e fushës do të jenë të përshirë në proces.

“Dua të theksoj që të gjithë specialistët e sistemit janë të përfshirë në vendimmarrje. Ndaj u hartua dhe një udhëzim i tillë me pjesëmarrjen e të gjithë specialistëve që ranë në idenë që kjo është mënyra më e mirë për të nisur ashtu siç duhet këtë”, deklaroi Arta Dollani.

Por sipas Bojaxhiut, udhëzimi, në kundërshtim me ligjin i jep të drejtë ministres së Kulturës dhe drejtorive rajonale që të firmosin kontrata.

“Ligji e shpreh qartasi që është IMK që duhet të miratojë kushtet paraprake. Në udhëzim janë lënë shumë gjëra të fshehta ku mund të bëhen këto procedura pa marrë miratimin dhe udhëzimet e IMK. Duket qartasi një tendencë që tani që në Shqipëri janë krijuar pashallarë, ka ardhur koha, ose Ministria mendon se këta pashallarë duhet të kenë kalatë e tyre”, thotë Bojaxhi.

Top Channel