Raporti i FH: Shqipëria mbetet një regjim hibrid

12/04/2016 11:10

Në një sistem vlerësimi, ku 1 është niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 më i ulëti, raporti i fundit i “Freedom House” për vendet në tranzicion vazhdon ta cilësojë Shqipërinë një “qeveri tranzicioni” apo “regjim hibrid”.

Vlerësimi i pikëve është njësoj si vitin e kaluar: 4.14. Qëndrimi në vend i atribuohet një përmirësimi të sistemit zgjedhor nga njëra anë dhe rënies në kategorinë e medias së pavarur, nga ana tjetër. Prirjet e vëna re në Shqipëri, në fakt, – siç shpjegon drejtori i projektit “Vendet në tranzicion”, Nate Schenkkan, – mund të dallohen edhe në vende të tjera, e jo vetëm në Ballkan.

Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensiv mes palëve, – thotë Schenkkan, – i cili i kapërcen ndonjëherë kufijtë e një konkurrence normale, e ndodh jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci, çfarë mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale e nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, nga çrrënjosja e korrupsionit apo ekonomia informale.

Kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, politika saboton mundësitë “për të çuar përpara reformat, për të cilat ka nevojë e gjithë shoqëria”, arsyeton ai, duke shtuar se stanjacioni në Shqipëri mund të jetë me shumë pasoja, ndërsa korrupsioni ka depërtuar thellë.

“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ, në bazë të matjeve që bëjmë ne, në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt, që lufta më e vështirë për vendet e rajonit është ajo kundër korrupsionit”, tha Nate Schenkkan, drejtor i projektit “Vendet në tranzicion”.

Megjithëse kapitulli i raportit për Shqipërinë nuk është ende përfundimtar, e për këtë arsye nuk është publikuar apo ndarë me median, zoti Schenkkan thotë se, në 2015-n pati miratim të një sërë reformash dhe ligjesh, si dhe angazhime për miratim reformash, si ajo për drejtësinë.

Por ai thotë se për vitin 2016, 2017 e më tej, pyetja është nëse këto reforma do të zbatohen. Ai sqaron se “Freedom House” është e kujdesshme kur bën vlerësimin e saj, qoftë negativ apo pozitiv, dhe nuk mbështetet thjesht te miratimi i ligjeve. Gjithsesi, ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel ku ishte në vitin 2004.

Top Channel