Kosovë, ndalohet sërish kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri

12/04/2016 10:55

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është shoqëruar nga policia për në gjykatë, për të marrë pjesë në rastin e gjykimit mbi përleshjen mes deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi e Florin Krasniqi, me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, në qershor të vitit 2012.

Në këtë seancë, para deputetëve janë shfaqur prova dhe pamje nga kamerat e sigurisë në Kuvend, ndërsa prokurorja e rastit ka kërkuar që deputetët e Vetëvendosjes, Ymeri, Selimi e Krasniqi të dënohen, pasi tha se kanë kryer veprën penale të “lëndimit të lehtë trupor”.

Por, deputetët e akuzuar nuk e pranuan kërkesën e Prokurorisë për dënim, ndërsa Visar Ymeri tha se prokurorja nuk mori për bazë dëshmitë që kundërshtojnë pretendimet e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Ky proces gjyqësor bazohet kryekëput në trillimet e një agjenti. Këtë e dëshmuan edhe dëshmitarët përmes rrëfimeve të tyre. Në fakt është një ngjarje tërësisht e sajuar në kokën e Bekim Haxhiut, e fatkeqësisht, pjesërisht e bartur në kokën e prokurores së rastit, e cila po më çudit shumë, sepse në fjalën përfundimtare ajo qartazi nuk mori parasysh as dëshmitarët, të cilët i kishte thirrur vet, e as provat që ka dërguar për të dëshmuar akuzën”, tha Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Pasi dëgjuan dëshmitë dhe argumentet e palëve, trupi gjykues i la të lirë deputetët e Vetëvendosjes, ndërsa vendosi që vendimi për këtë rast të merret më 15 prill.

*
Policia e Kosovës ka arrestuar sërish mëngjesin e sotëm kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Arrestimi është bërë në bazë të një kërkese nga Gjykata Themelore.

“Kemi pasur një urdhëresë që ta shoqërojmë dhe ta dërgojmë në orën 10:00 në gjykatë dhe këtë kemi bërë”, ka konfirmuar zyrtarja për Informim pranë Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Kjo është hera e dytë, që Ymeri ndalohet dhe shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me një grindje të vitit 2012 në Kuvend.

Shoqërimi i tij nga policia ka ndodhur pasi, për rastin në fjalë, kreu i Vetëvendosjes nuk ka përfillur thirrjet e gjykatës, si dhe për shkak të rrezikut të vjetërimit të çështjes.

Në këtë gjykim, Ymeri, deputeti Rexhep Selimi dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, akuzohen për sulm fizik ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu. Në gjykatë ndodhej edhe deputeti Rexhep Selimi.

Përleshja ka ndodhur më 28 qershor 2012 gjatë një pushimi në parkingun e Kuvendit të Kosovës. Lidhur me këtë rast janë mbajtur 16 seanca gjyqësore.

Top Channel