Kontroll klinikave mjekësore

12/04/2016 00:00

Të gjitha klinikat shëndetësore, ato dentare dhe laboratorë, të cilët kanë punësuar studentë si infermierë, laburantë,  fizioterapistë apo mami për të ushtruar këtë profesion kundrejt pagave të vogla, por që nuk janë të licencuar nuk do të mund të abuzojnë më.

“Në shumë klinika kemi gjetur edhe raste kur jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj hyjnë në sistem pa plotësuar ligjin”, deklaroi Sabri Skënderi nga Urdhri i Infermierit.

Inspektoriati Shëndetësor Shtetër përveç kushteve higjieno-sanitare ka nisur kontrolle të imtësishme në bashkëpunim me urdhërat të cilët do të raportojnë për çdo shkelje që vërehet.

“Do të bëjmë inspektime të përbashkëta me profesionistët për të garantuar respektimin e ligjit në fushën e shëndetit. Kemi ndërhyrë në stomatologji, ku janë bllokuar disa klinika të palicencuara”, thotë Eltar Deda, kreu i ISHSH.

Në prani dhe të ministrit të Shëndetësisë kreu Inspektoriati ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Urdhërin Mjekut, Stomatologut dhe Infermierit për të mos lejuar askënd të abuzojë në kurriz të cilësisë së shërbimit shëndetësor.

Top Channel