Gjysma e bashkive pa planifikim urban, Gjermeni nxit hartimin

12/04/2016 14:30

Më shumë se gjysma e bashkive në vend nuk e kanë përfunduar planifikimin urban dhe nuk kanë të miratuar një të tillë. Ministria e Zhvillimit Urban ka nisur negociatat me donatorë të jashtëm për të plotësuar numrin total, sipas ndarjes së re territoriale.

Në qoftë se gjetja e financimeve të jashtme do të dështojë, burime nga kjo ministri thonë se fondet do të jepen nga qeveria shqiptare e cila mund të rishikojë buxhetin.

“I gjithë kontributi juaj, teknik apo financiar, në këto procese të rëndësishme dhe komplekse për Shqipërinë janë vendimtare dhe domethënëse, për synimin e një zhvillim të planifikuar dhe të qëndrueshëm të territorit”, deklaroi ministrja Eglantina Gjermeni.

Një nga pengesat e zhvillimit rajonal ndër vite ka qenë dhënia në masë e lejeve të ndërtimit. Erion Veliaj, në cilësinë e kreut të një prej shoqatave të bashkive, siguroi donatorët se kjo nuk do t’i cënojë financimet e tyre.

“Përfshirja juaj në financimin apo në nidhmesën me këto projekte nuk do të përkthehej në një armë për bashkitë, që sot ende nuk e kanë këtë partneritet, që të vazhdonin ndërtimet pa kritere”, garantoi Veliaj.

31 bashki në të gjithë vendin janë në fund të procesit të hartimit të planifikimit urban të qyteteve të tyre. 26 raste nga këto të fundit u financuan nga  buxheti me 560 mln lekë, ndërsa 5 të tjera u përmbyllën me asistencën e USAID.

Top Channel