Vokshi: Statusi i gruas, i dobësuar në mënyrë dramatike

11/04/2016 00:00

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi ngriti në Pragë shqetësimin për gjendjen e rënduar të grave në Shqipëri.

Në konferencën me titull “Gratë, çelësi i integrimit”, Vokshi vuri në dukje se, statusi i gruas në Shqipëri është dobësuar në mënyrë dramatike, “pasi ato po vuajnë varfërinë e thelluar, largimet e padrejta nga puna dhe eksodin masiv”.

Deputetja demokrate tha se, “politikat antisociale të ndjekura në Tiranë në këto tre vitet e fundit kanë kthyer pas reformat integruese, kanë thelluar varfërinë dhe kanë rritur me 50% papunësinë tek gratë dhe vajzat”.

“Në 2015, mbi 100 mijë shqiptarë ikën si refugjatë ekonomikë në Gjermani dhe mbi 200 mijë të tjerë aplikuan për llotarinë amerikane”, deklaroi Vokshi.

Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore, ajo tha se, rreth 47% e popullësisë në Shqipëri jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërsa borxhi publik është rritur në 73.3% dhe shqiptarët paguhen 10% më pak se tre vite më parë.

Më tej, Vokshi tha se propaganda e numrave në qeverinë Rama me gra ministre është fasada e përkeqësimit të të drejtave ekonomike, sociale dhe politike të grave dhe vajzave.

“Spastrimet politike të grave dhe vajzave në administratë dhe kërcënimet e kandidateve gra për të lënë mandatet në Parlament për banditët e kryeministrit Rama janë faktet publike të shtypjes së të drejtave të grave”, u shpreh më tej Vokshi.

Top Channel