Rrëzimi i helikopterit, kërkohet ndihmë edhe nga Franca

11/04/2016 16:40

Autoritetet shqiptare kërkojnë ndihmë edhe nga ekspertët francezë për të zbardhur shkaqet që çuan në rrëzimin e helikopterit EC 145 në Liqenin e Shkodrës.

Ky ka qenë qëllimi i takimit mes ministres Kodheli dhe ambasadorit francez në Tiranë, Bernard Fitoussi.

Në takim Kodheli ka kërkuar edhe zyrtarisht ndihmë prej ekspertëve francezë, duke qenë se EC 145 është një prodhim franko-gjerman.

Autoritetet kanë marrë nën mbikëqyrje kutinë e zezë si dhe kartën e memories së kameras së sigurisë, e cila është dërguar në Gjermani për ekspertizë.

Ndërkohë, shkaqet e rrëzimit të mjetit mbulohen me më shumë mister pas zbulimit fillimisht prej kameras së Top Channel të pjesëve të mburojes së jashtme të helikopterit në një distancë të largët nga vendi i përplasjes së tij.

Helikopteri u rrëzua mesditën e së mërkurës mbi Liqenin e Shkodrës. Dy pilotët Florian Deliaj dhe Donald Hoxha gjetën vdekjen, ndërsa tragjedisë arriti t’i mbijetojë personi i tretë në bord, ushtari profesionist Gerald Baramuça.

Top Channel