Dom Gjergj Meta: Feja në shkolla nuk lufton fondamentalizimin

11/04/2016 00:00

Nisma për mësimin e historikut të feve në shkollat shqiptare mbështetet nga Kisha Katolike, por kjo nismë, sipas Dom Gjergj Metës nuk mund të luftojë ekstremizmin.

I ftuar në studion e ediconit qendror të lajmeve në Top Channel, ai thotë se përgjegjësia për ta bërë këtë bie vetëm mbi komunitetet.

“Fakti që do të jetë historik i fesë nëpër shkolla mund të bëjë informim, por jo formim dhe nuk mund të kërkohet nga kjo lëndë që të zbuten instancat fondamentaliste me informim. Askush nuk mund t’ja heqë komuniteteve fetare përgjegjësinë që duhet të punojnë vetë brenda tyre që të mos nxisin elementët fondamentalistë”, tha Dom Gjergj Meta.

Gjithsesi, Dom Gjergji e vlerëson pozitivisht idenë e futjes së kësaj lënde në shkolla, por kërkon që kjo të bëhet me kujdes.

“Ngre pikëpyetje të mëdha se kush do ta bëjë? Si do të bëhet dhe do të bëhet informim apo formim?”, u shpreh ai.

Në studio, Dom Gjergj Meta interpretoi edhe prezantimin më të fundit të Vatikanit, të quajtur “Hareja e Dashurisë”.

“Nuk është pranim i divorcit. Risia e  kësaj porosie apostolike është që Papa thotë që nuk mund të trajtohen të gjitha rastet me një ligj unik, por duhen parë rastet një nga një. Këtu u lë hapësirë kishave lokale që paraqesin këto problematike. Nuk është hapje ndaj divorcit, por këndvështrim ndryshe e tij”, sqaron ai.

Top Channel