Veliaj: Do t’iu ofrojmë 24 orë ujë banorëve të “Yzberishtit”

10/04/2016 00:00

Problemet e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e zonës së “Yzberishtit”, sipas kreut të bashkisë Veliaj do të marrin fund brenda muajit maj. Pasi ka përfunduar fazën e parë të projektit për furnizimin me ujë në rrugën “3 Dëshmorët”, Bashkia e Tiranës ka nisur shtrirjen e rrjetit në shtëpitë e para.

“Duke i futur të gjitha llogaritë në faturën e ujit, ne kemi rritur ndjeshëm të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Kjo do të thotë që ne jemi gati, duke filluar që nga ky muaj i parë, që qytetarët janë përgjigjur duke i paguar në mënyrë korrekte dhe mbi 90% e tyre kanë paguar taksat e bashkisë, t’u përgjigjemi atyre menjëherë me investime”, deklaron kryebashkiaku Veliaj.

Kreu i bashkisë thotë se, pas kësaj, institucioni që ai drejton do të nisë zbatimin e projektit për heqjen e depozitave të ujit.

“Dua t’i qetësoj të gjithë qytetarët. Bashkia nuk do të vijë t’iu heqë depozitat, përkundrazi do të vijë t’iu sjellë shërbimin me ujë 24 orë dhe, teksa provohet që uji ka ardhur 24 orë, do t’iu kërkojmë gradualisht reduktimin e depozitave”, tha më tej Erion Veliaj.

Top Channel