Park me rrota për romët e mbetur të pastrehë nga përmbytjet

08/04/2016 00:00

Plot 60 persona të komunitetit rom të “Bregut të Lumit”, që u përmbyt nga shirat e dendur të muajve të fundit, janë strehuar në parkun e rulove.

Ky projekt është ende në zhvillim nga Bashkia e Tiranës. Në ditën ndërkombëtare të romëve, kryetari Erion Veliaj pa nga afër, së bashku me ambasadoren e Holandës në vendin tonë, sesi janë akomoduar deri më tani 15 familje.

“Nga një situatë dramatike si pasojë e shirave të fundit, ku shumë anëtarë të komunitetit rom ishin të prekshëm prej përmbytjeve dhe u strehuan në këto kapanone për çështje emergjence, sot kanë një shtëpizë të vogël, modeste, por të sigurtë e të ngrohtë, jashtë rreziqeve që mund të shkaktojë moti e natyra. Besoj se të gjitha ato hapësira që u përdorën në kapanonet për emergjencat mund t’i kemi në gatishmëri për emergjencat e radhës”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Investimi për parkun e rulove u bë nga bashkia, në bashkëpunim edhe me organizata të shoqërisë civile, ndërsa parashikon strehimin e 50 familjeve gjithsej. Ky park do të ketë shumë shpejt 200 banorë, që do të akomodohen aty pa pagesë, në një kohë të pakufizuar.

Top Channel