690 biznese thyejnë marrëveshjen me OSHEE, Gjiknuri: Masa deri në barrën hipotekore

08/04/2016 00:00

690 biznese kanë thyer aktmarrëveshjet e nënshkruara me OSHEE për pagesën me këste të borxheve të prapambetura. Shifra u bë e ditur nga vetë ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Ai tha se këto biznese e kanë shkëputur në mënyrë të njëanshme këtë marrëdhënie dhe ndaj tyre do të fillohet me procedurat ku nuk përfshihet vetëm ndërprerja e energjisë elektrike por deri tek vendosja e barrës hipotekore e cila ndalon transferimin e pronësisë pa likujduar detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

“Do të fillojë të vihet në zbatim legjislacioni i ri i energjisë elektrike që ka të bëjë me vendosjen e barrës hipotekore për të gjithë ato biznese që kanë një vlerë detyrimi të prapambetur mbi 1.5 milion lekë të reja. Do të fillojnë njëkohësisht të gjitha procedurat përmbarimore për të vjelur këto detyrime ndaj të gjitha bizneseve që kanë thyer aktmarrëveshjet. Përfitoj nga rasti tu bëj thirrje bizneseve pasi kanë njoftim, kanë afat 5 ditë kohë nga njoftimi për të rilidhur kontratën dhe të vazhdojnë me këstet e lehtësirat që janë krijuar nga aktmarrëveshja. Përndryshe do të penalizohen në mënyrë të menjëhershme pasi nuk është normale që qytetarët të tregohen të rregullt ndërsa bizneset të devijojnë nga lehtësirat që u ka krijuar shteti”,  tha Gjiknuri.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së Adrian Çela inauguruan përfundimin e investimit 600 mijë euro për ndërtimin e rrjetit të ri 20 kV në zonën e ish-nisherakut në Tiranë. Investimi përmirëson cilësinë e furnizimit për 15 mijë abonentë ndërsa prek një zonë të rëndësishme që shtrihet nga Selita, një pjesë e Komunës së Parisit, zona rreth Vasil Shantos, Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe zona e ish-nisherakut.

Top Channel